Muzeu “Ndre Mjeda”

Në Kukël është përuruar kohet e fundit muzeu I Ndre Mjeds , faza përmbyllëse e asaj që është pagëzuar si Qendra kulturore e muzeale “Ndre Mjeda. Kisha e ngjitur pak në shpat, prej ku “lahet” me shikim krejt fusha, është ndërtuar para 100 e ca vjetësh; rreth vitit 1906 është projektuar dhe ka nisur ndërtimi i saj, prej famullitarit të atëhershëm të katundit, dom Ndre Mjeda. Ai kaloi aty tridhjetë vite të jetës; aty shkroi e lëmoi lirikat dhe tingëllimat e tij­perla të letërsisë shqipe, aty shkroi poemat “Andrra e Jetës”, “Lissus”, “Shkodra” shkroi librat e gjuhës shqipe për nxënësit; aty ka këmbyer korrespondencën me Gustav Majerin e albanologë e gjuhëtarë të tjerë miq të tij europianë. Banonte dhe shërbente aty me petkun e meshtarit edhe përgjatë viteve 1921­1927 kur qe deputet i Parlamentit të parë shqiptar për dy legjislatura…
Mjeda i mbylli sytë dhe u nis për në botën e përtejme më 1 gusht vitin 1937, por ajo, kisha, ndërtuar sipas stilit neoklasik, e vogël, por e ngjashme me simotra të tjera në Itali, Poloni, ku ai studioi a gjetkë në Europë, jetoi madje mbijetoi edhe pas “tërmetit” ideologjik ateist të vitit 1967, kur u shembën edhe kisha shumë më të vjetra, si bie fjala ajo e Danjës (në Vau i Dejës) e ndërtuar në shekullin XV, në të cilën, sipas shkrimeve, qe kunorëzuar martesa e Gjergj Kastriotit. Mjeda qe më fatlumi ndër iluministët katolikë, ai dhe vepra e tij mbijetoi mbështetur mbi një artific, emërtimin “klerik popullor”, me të cilin e pagëzoi regjimi; vepra e tij u lexua dhe u studiua e gjitha në shkolla, posë retushimeve të asaj që kishte motive fetare, “heretike” për regjimin.